Instituti i Vjenës: Shqipëria drejt tregut të BE pa të drejta politike për tre vitet e ardhshme
Analiza sugjeron anëtarësim të pjesshëm, me akses ekonomik në BE, por pa të drejta vote.

Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet më të avancuara në radhën e zgjerimit të Bashkimit Europian nga Ballkani Perëndimor, dhe pranimi i tyre shihet si një perspektivë realiste, jo si rezultat i favorizimit politik nga BE-ja. Ky vlerësim u bë në një forum të organizuar së fundmi nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw), ku u theksua se pavarësisht progresit, faktorë politikë dhe institucionalë e bëjnë më të mundshëm një skenar anëtarësimi të pjesshëm në vitet e ardhshme.
Sipas pjesëmarrësve në forum, Shqipëria përballet me një përqendrim shqetësues të pushtetit, ndërsa në Mal të Zi ekziston rreziku i paqëndrueshmërisë për shkak të ndikimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Në këtë kontekst, një anëtarësim i pjesshëm në BE shihet si skenari më realist për tre vitet e ardhshme.
Çfarë nënkupton anëtarësimi i pjesshëm
Anëtarësimi i pjesshëm do të thotë që një vend kandidat hyn në bashkimin ekonomik dhe institucional të Bashkimit Europian pa qenë ende anëtar me të drejta të plota politike. Në rastin e Shqipërisë, kjo do të nënkuptonte akses të plotë në tregun e brendshëm të BE-së, përfshirje në politikat ekonomike të unionit, përfitim nga fondet e zhvillimit dhe detyrim për zbatimin e legjislacionit europian, por pa të drejtë vote në Këshillin e BE-së, pa komisioner europian dhe pa përfaqësim të plotë në Parlamentin Europian.
Sipas këtij skenari, Shqipëria dhe Mali i Zi do të ishin pjesë e BE-së në aspektin ekonomik dhe rregullator brenda tre viteve të ardhshme, ndërsa anëtarësimi i plotë politik mund të vonohej për shumë vite të tjera.
Përfitimet ekonomike për Shqipërinë
Analistët e wiiw theksuan se ky model synon të kapërcejë paradoksin aktual të zgjerimit, ku vendeve kandidate u kërkohet të zbatojnë një pjesë të madhe të rregullave të BE-së, pa përfituar realisht ekonomikisht për një periudhë të gjatë. Me anëtarësimin e pjesshëm, kompanitë shqiptare do të kishin akses të drejtpërdrejtë në tregun e përbashkët europian, pa tarifa dhe pa barriera jo-tarifore, duke e bërë vendin më tërheqës për investitorët e huaj dhe duke integruar ekonominë shqiptare në zinxhirët europianë të prodhimit dhe shërbimeve.
Po ashtu, Shqipëria do të përfitonte fonde shumë më të mëdha se ato aktuale të para-anëtarësimit, duke pasur akses në fondet strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore të BE-së, të cilat sot janë të rezervuara vetëm për shtetet anëtare.
Interesi i BE-së dhe sfidat rajonale
Nga këndvështrimi i Bashkimit Europian, ky model shihet si një mënyrë për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, për ta lidhur më fort rajonin me ekonominë europiane dhe për të ulur ndikimin e aktorëve të tjerë gjeopolitikë, pa u detyruar të marrë menjëherë vendime politike të ndjeshme për anëtarësimin e plotë.
Nga ana e vendeve kandidate, anëtarësimi i pjesshëm shihet si një mundësi për të mos humbur edhe një dekadë tjetër në pritje, në një kohë kur emigracioni vazhdon dhe ekonomitë mbeten të izoluara nga tregu më i madh në botë.
Lëvizja e njerëzve dhe perspektiva afatgjatë
Për sa i përket lëvizjes së lirë, anëtarësimi i pjesshëm do t’u jepte qytetarëve shqiptarë më shumë të drejta për të punuar, studiuar dhe qëndruar në vendet e BE-së, por jo pa kufizime. Modeli i diskutuar i ngjan atij që zbatohet për Norvegjinë ose Zvicrën në disa fusha, por me kufizime më të mëdha.
Analistët e Vjenës theksuan se Ballkani Perëndimor ka pritur për një kohë shumë të gjatë në radhën e zgjerimit dhe se përfitimet nga konvergjenca ekonomike me BE-në kanë qenë të kufizuara. Megjithëse rajoni ka treguar aftësi për të tërhequr investime të huaja direkte dhe ka një situatë makroekonomike relativisht të qëndrueshme, mungesa e konkurrueshmërisë dhe nevoja për politika më të mira industriale mbeten sfidat kryesore për të ardhmen.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






